Filmi “Zgjoi” nga Kosova – fitues i tri çmimeve në festivalin Sundance

“Zgjoi”, një film me regji të Blerta Bashollit nga Kosova, fitoi tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filmi i cili flet për jetën e një gruaje që mbeti e ve pas luftës në Kosovë, fitoi çmimet: filmi më i mirë, regjisorja më e mirë si dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit.

Regjisorja Blerta Basholli, në një videomesazh gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të festivalit, që këtë vit u zhvillua online për shkak të pandemisë, falënderoi zonjën Fahrije Hoti, një grua e ve nga Krusha e Madhe, jeta e së cilës ishte frymëzimi i saj për filmin.

Regjisorja Basholli në një bisedë me Zërin e Amerikës, tha se tha se ky është një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për ekipin që ka punuar në film por në përgjithësi për kinematografinë e Kosovës.

“Në Kosovë prodhohen filma të jashtëzakonshëm, ata filma po udhëtojnë secili në festivale të mëdha dhe pa çmime nuk po kthehen, kështu që mendoj që edhe ky sukses i fundit do ta ketë një ndikim të mirë në kuptimin edhe të rritjes së buxhetit edhe të zhvillimit të industrisë sepse potenciali është, vetëm na duhet një katalizator që ta shtyjmë përpara dhe të zhvillohemi tutje”, tha ajo.

Filmi “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale zvicerane për Kulturë FOC dhe Cineforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi në Shqipëri.

“Zgjoi” pritet të vazhdojë rrugëtimin nëpër festivale evropiane ndërkaq në fund të këtij viti pritet që filmi të shfaqet edhe nëpër kinematë e Kosovës.

Burimi: https://www.zeriamerikes.com/a/kosovo-sundance/5763336.html